Shkolla TIK “HERMANN GMEINER”, Sauk - TIRANË
Shkolla TIK “HERMANN GMEINER”, Sauk - Tiranë, është një nga shkollat më të reja profesionale në vend. Ajo mbështetet në modelin dhe profilin e shkollës austriake, në përgatitjen e programuesve në informatikë, prandaj profili i shkollimit është pretendues dhe i përshtatshëm për nxënësit që kanë përfunduar me rezultate të mira dhe shumë të mira shkollat 9 vjeçare.
Shkolla TIK “HERMANN GMEINER”, që bashkëdrejtohet me përfaqësues të posaçëm shqiptarë dhe austriakë zgjat 4 vite studimi dhe numri i orëve mësimore përbën parakusht për cilësinë e duhur të formimit të specialistëve të rinj të TIK dhe për njohje të kualifikimit në Austri.
Për të garantuar cilësi, i kushtohet rëndësi njohurive të shumë të mira në Matematikë si dhe përvetësimit të njohurive të gjuhëve të huaja, ndërkohë që edhe Lëndët e formimit të përgjithshëm, orientohen drejt ndaj kërkesave të nxënësve, për përgatitje cilësore për Maturën shtetërore.
Për zhvillimin e Gjuhës angleze dhe asaj gjermane (si gjuhë e dytë) duke do të përdoren kurrikulat e gjimnazit, tashmë të konsoliduara dhe të vlerësuara.
Shkolla TIK “HERMANN GMEINER”, ndodhet në një zonë të qetë dhe të gjelbëruar duke ofruar gjithashtu mjedise shumë të mira strukturore dhe të përshtatshme për zhvillimin cilësor të procesit mësimor dhe edukativ. Mjediset janë komforte, me sistem qendror ngrohjeje, freskim për periudhën e verës dhe me ndriçim komod që kombinon dritën natyrale me atë artificiale;
Orët e praktikave teorike dhe të Laboratorëve, zhvillohen në mjedise të kompletuara, ku çdo post pune do te jetë i pajisur me mjete të reja dhe moderne sipas çdo fushe.
Në mjediset e shkollës përfshihen edhe mjedise për aktivitete sportive e social kulturore të larmishme.
Kualifikimet dhe kompetencat profesionale dhe pedagogjike të mësuesve vlerësohen si vendimtare për cilësinë e shërbimit arsimor profesional të shkollës, prandaj stafi i shkollës është i përzgjedhur më kujdes nën drejtimin e specialistëve austriakë të fushës përkatëse. Mësuesit e lëndëve profesionale i nënshtrohet rregullisht trajnimeve fillestare por edhe të vazhdueshme për tu përditësuar me të rejat më të fundit në fushën e TIK.